Duke vlerësuar punën e organeve të vettingut dhe rezultatet e reformës në drejtësi, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se falë saj pandëshkueshmëria është tronditur.
Në konferencën e përfundimit të mandatit të organeve të vettingut organizuar nga Komisioni i Pavaruri i Kualifikimit dhe Komisioneri Publik, Dumani shtoi se pas 31 Dhjetorit përparësi e punës së tij do jetë edhe vazhdimi i procesit të mbetur të vettingut.
Altin Dumani, kreu i SPAK: Përmes këtij procesi u ngritën muret e drejtësisë së re dhe sot janë institucionet përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme që luajnë një rol. Pandëshkueshmëria po tronditet sot!
Nga Janari deri në përfundim për të gjitha çështjet e mbetura në shkallën e dytë të vetingut, kreu i SPAK do të luajë rolin e komisionerit publik dhe do të kalojë në sitë vendimmarrjet e shkallës së parë.
Procesi i vettingut u përshëndet në këtë konferencë edhe nga e ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Nancy Van Horn dhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato të cilët kërkuan që të ruhet integriteti i gjyqësorit.
Në 7 vite punë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kaloi në sitë 805 prokurorë e gjyqtarë, më shumë se gjysma u larguan ose me shkarkim ose me dorëheqje./Klan