
Vdekja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, ka nxjerrë në pah ndarjen e thellë brenda shoqërisë iraniane.
Sipas raportimit të Reuters, në Teheran mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin Enghelab, të veshur me të zeza, duke qarë dhe duke kërkuar hakmarrje ndaj SHBA-së dhe Izraelit. Televizioni shtetëror e njoftoi vdekjen me tone emocionale, duke konfirmuar se Khamenei u vra gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite.

Por pamje të tjera nga qytete të ndryshme të vendit treguan një realitet krejt tjetër.
Në Karaj, Dehloran, Izeh dhe zona të tjera, video në rrjetet sociale tregojnë njerëz që festojnë, hedhin në tokë monumente dhe brohorasin kundër regjimit. Në një prej videove dëgjohet një qytetar që thërret: “A jam duke ëndërruar? Mirë se vjen bota e re!”

Një grua 33-vjeçare nga Isfahani tha për Reuters se shpërtheu në lot gëzimi kur mori vesh lajmin, duke shpresuar se vdekja e Khameneit mund të shënojë fundin e Republikës Islamike. Ndërsa të tjerë, si një mësuese nga Shirazi, shprehën frikë për kaos dhe destabilizim, duke përmendur shembullin e Irakut.
Një student 21-vjeçar nga Mashhadi deklaroi se Irani do të hakmerret dhe se “Trump dhe regjimi sionist do të paguajnë një çmim të rëndë”.
Gjatë 36 viteve në pushtet, Khamenei përballoi disa valë protestash të mëdha, përfshirë lëvizjen studentore të vitit 1999, trazirat e 2009-ës dhe protestat “Grua, Jetë, Liri” të vitit 2022.
Zhvillimet e fundit tregojnë një Iran të thellësisht të polarizuar, mes atyre që e shohin Khamenein si simbol të rezistencës dhe atyre që e konsiderojnë fundin e tij si fillimin e një epoke të re.






