Erion Veliaj ka publikuar nga paraburgimi i Fierit fjalimin që kishte përgatitur për Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke kërkuar zyrtarisht nisjen e procedurës statutore për një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama.

Link

Kryebashkiaku i Tiranës, i cili kishte kërkuar të merrte pjesë në mbledhjen e sotme, fizikisht ose përmes videokonferencës, ka zgjedhur ta bëjë publik qëndrimin e tij në rrjetet sociale.

“Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj!”, shkruan Veliaj, duke publikuar dokumentin me titullin e njëjtë, të përbërë nga dhjetë faqe dhe të datuar më 13 nëntor 2026, në IEVP Fier.

Kërkon mocion mosbesimi ndaj Ramës

Pika më e fortë e fjalimit është kërkesa që Asambleja Kombëtare të shqyrtojë përgjegjësinë politike të Edi Ramës për mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste.

Veliaj kërkon aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së, duke kërkuar që organet përgjegjëse të përcaktojnë procedurën, afatet dhe mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte.

Ai argumenton se ndryshimi i modelit të drejtimit të partisë nuk mund të realizohet pa ndryshuar edhe kryetarin e saj.

“Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj”, shkruan Veliaj.

“Sot kemi thikat pas shpine”

Në një pjesë të fjalimit, të titulluar “Quo Vadis, PS?”, Veliaj bën një krahasim të ashpër mes Partisë Socialiste të dikurshme dhe mënyrës se si, sipas tij, funksionon sot.

Ai pretendon se debati është zëvendësuar nga heshtja, solidariteti nga frika dhe meritokracia nga besnikëria personale.

“Ishim parti e solidaritetit me njëri-tjetrin. Sot kemi thikat pas shpine”, shkruan Veliaj.

Kryebashkiaku përdor edhe një krahasim me serialin “Squid Game”, duke përshkruar atmosferën që, sipas tij, mbizotëron në strukturat socialiste.

Në një tjetër pasazh, ai pyet nëse socialistët do të vazhdojnë të ndërrojnë vendet në “Titanikun” që shkon drejt ajsbergut, apo do të ndryshojnë drejtimin.

Akuza për ndërhyrje në Bashkinë e Tiranës dhe presion në burg

Veliaj i rikthehet edhe përplasjes me Ramën për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Ai pretendon se ndryshimet në administratën bashkiake gjatë paraburgimit të tij janë përdorur për të dobësuar ndikimin e tij politik dhe për të larguar bashkëpunëtorët e tij.

Veliaj akuzon kryeministrin edhe për presion politik në procedurën që çoi në vendimin për shkarkimin e tij nga detyra në vitin 2025, vendim që më pas u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese.

Në dokument përsëriten gjithashtu pretendimet e tij për transferimin nga paraburgimi i Durrësit në Fier dhe për një takim me ministrin e Drejtësisë, gjatë të cilit, sipas Veliajt, i janë përcjellë kërcënime në emër të kryeministrit nëse nuk jepte dorëheqjen.

Veliaj pretendon gjithashtu se po pengohet të marrë kujdesin mjekësor të nevojshëm për këmbën e thyer.

Këto janë akuza të ngritura nga Veliaj, të cilat kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente.

Kritika për ministrat dhe deputetët socialistë

Në fjalimin e tij, Veliaj ngre pyetje edhe për mënyrën e përzgjedhjes së ministrave dhe kandidatëve për deputetë.

Ai kërkon që organet e Partisë Socialiste të kenë një rol real në diskutimin dhe vlerësimin e drejtimit politik të qeverisë.

Sipas tij, Grupi Parlamentar nuk duhet të kufizohet në votimin e vendimeve të marra nga drejtimi i partisë, por duhet të ushtrojë të drejtën e debatit dhe të kontrollit politik.

Veliaj kritikon gjithashtu nismën “Prania Besnike”, të cilën e përshkruan si një projekt të hartuar nga kryetari pa debat dhe pa miratim real nga forumet e PS-së.

“As unë, as Edi Rama, askush nuk është i pazëvendësueshëm”

Në përfundim të fjalimit, Veliaj u kërkon anëtarëve të Asamblesë të mos heqin dorë nga e drejta për të menduar dhe për të gjykuar në mënyrë të pavarur.

Ai thekson se përgjegjësia politike duhet të zbatohet për çdo drejtues, përfshirë edhe veten.

“As unë. As Edi Rama. Askush”, shkruan Veliaj, duke iu referuar idesë se asnjë drejtues nuk është i pazëvendësueshëm.

Publikimi i fjalimit vjen pikërisht në ditën kur socialistët zhvillojnë Asamblenë Kombëtare, duke e vendosur kërkesën për mocion mosbesimi ndaj Ramës në qendër të përplasjes politike mes dy figurave të PS-së.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu