Një kthesë e madhe politike është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Serbi. Aleksandar Vuçiç ka pranuar publikisht humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, duke deklaruar se Lista Studentore ka fituar garën dhe pritet të sigurojë shumicën absolute në Kuvend.

Pas 14 vitesh dominimi të Partisë Progresive Serbe në pushtet, Vuçiç doli përpara mediave dhe pranoi se rezultatet paraprake tregojnë një ndryshim të rëndësishëm të balancave politike.

“Është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore”, deklaroi ai.

Sipas vlerësimeve të paraqitura nga vetë Vuçiç, Lista Studentore pritet të sigurojë 135 deri në 140 mandate në parlamentin me 250 vende, ndërsa koalicioni i tij rreth 105 mandate.

Kjo do të thotë se, nëse projeksionet konfirmohen, lëvizja e mbështetur nga studentët do të ketë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë pa pasur nevojë për një koalicion të gjerë parlamentar.

Vuçiç deklaroi se lista e tij ka marrë rreth 1 milion e 720 mijë vota, ndërsa Lista Studentore rreth 2 milionë e 200 mijë.

Edhe projeksioni i parë i agjencisë Ipsos dhe organizatës CeSID konfirmon epërsinë e studentëve. Sipas këtij vlerësimi, bazuar në 49.8 për qind të kampionit të përpunuar, Lista Studentore ka marrë 52 për qind të votave dhe 138 mandate, kundrejt 39.3 për qind dhe 104 mandateve për listën e Vuçiçit.

Megjithatë, këto janë rezultate paraprake dhe pritet konfirmimi nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë.

Zgjedhjet e 25 tetorit u zhvilluan pas afro dy vitesh protestash masive të studentëve kundër korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes.

Lëvizja studentore mori përmasa kombëtare pas tragjedisë së nëntorit 2024 në Novi Sad, ku shembja e një pjese të stacionit hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Protestat e nisura për kërkimin e përgjegjësisë institucionale u shndërruan gradualisht në një lëvizje politike, e cila arriti të sfidonte pushtetin shumëvjeçar të Partisë Progresive Serbe.

Votimi i së dielës u karakterizua nga një pjesëmarrje jashtëzakonisht e lartë. Sipas organizatave vëzhguese CeSID dhe CRTA, deri në orën 19:00 kishin votuar mbi 67.5 për qind e zgjedhësve.

Procesi u shoqërua edhe me raportime për incidente të dhunshme, sulme ndaj qytetarëve dhe parregullsi në disa qendra votimi. CeSID njoftoi se deri në mbylljen e kutive kishte marrë mbi 300 raportime për parregullsi.

Një tjetër zhvillim me interes të veçantë për shqiptarët është përfaqësimi i Luginës së Preshevës në parlamentin e ri.

Sipas vlerësimeve të paraqitura nga Vuçiç, Koalicioni Shqiptar, i formuar nga tetë parti politike të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pritet të sigurojë një mandat parlamentar.

Përfaqësuesit shqiptarë kishin hyrë të bashkuar në zgjedhje me synimin për të fituar deri në tre vende në Kuvend, pas ndërmjetësimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Listës Studentore u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mbështesin vëzhguesit gjatë numërimit të votave.

Ish-basketbollisti i njohur Dejan Bodiroga, kandidat në Listën Studentore, kërkoi që procesi të ndiqet deri në numërimin dhe dorëzimin e të gjitha materialeve zgjedhore.

Pranimi i humbjes nga Vuçiç shënon një moment të rëndësishëm për Serbinë. Nëse rezultatet paraprake konfirmohen, vendi do të përballet me ndryshimin e parë të madh të shumicës qeverisëse që prej ardhjes në pushtet të Partisë Progresive Serbe në vitin 2012.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu