Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të rënda ndaj Policisë së Shtetit pas protestës së 24 tetorit në Tiranë, duke pretenduar se efektivë të forcave “Shqiponja” dhe RENEA kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, ndërsa disa protestues kanë pësuar plagosje serioze.

Në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së, Berisha ka denoncuar raste të pretenduara të goditjeve me plumba, dhunës fizike dhe ndalimeve të paligjshme, duke paralajmëruar se efektivët përgjegjës do të përballen me drejtësinë.

“Kryeqyteti i Shqipërisë përjetoi një ditë dhe natë terrori si kurrë ndonjëherë më parë”, deklaroi kreu i opozitës.

Sipas Berishës, një nga rastet më të rënda është ai i Erjon Vishkurtit, një i ri i diplomuar në gazetari, për të cilin pretendon se ka humbur njërin sy si pasojë e ndërhyrjes policore.

“Erjon Vishkurti humbi syrin. I diplomuar në gazetari, ndërkohë që në absolute nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm ndaj askujt”, u shpreh Berisha.

Ai pretendoi se gjatë protestës janë plagosur edhe qytetarë të tjerë, mes tyre një grua e goditur në sy, një protestues i plagosur mbi vetull dhe një tjetër në pjesën e barkut, për të cilin tha se ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e plumbit.

Kryedemokrati përmendi edhe rastin e 40-vjeçarit Lorenco Bezani, duke pretenduar se është goditur me shkelma në kokë dhe në trup, megjithëse nuk po ushtronte dhunë.

“40-vjeçari Lorenco Bezani u shkelmua barbarisht në kokë e trup, pa asnjë akt, nuk kryente asnjë akt dhune”, deklaroi ai.

Berisha akuzoi gjithashtu policinë për ndalime dhe shoqërime të paligjshme, duke pretenduar se dhjetëra persona janë dërguar me forcë në komisariate, pavarësisht se disa prej tyre nuk kishin lidhje me protestën.

Por një nga akuzat më të rënda të kreut të opozitës lidhet me pretendimet për ngacmime seksuale ndaj vajzave gjatë transportimit të tyre me automjete policie.

“Unë sot këtu, dua t’i informoj shqiptarët se në mënyrë të përsëritur, banditë të droguar me uniformë ngacmojnë në makinat e tyre seksualisht vajzat që marrin”, deklaroi Berisha.

Ai nuk paraqiti në deklaratë prova konkrete apo identitete të personave që pretendohet se janë përfshirë në këto incidente.

Kryetari i PD-së paralajmëroi pasoja ligjore për efektivët që, sipas tij, kanë shkelur ligjin gjatë protestave.

“Unë i garantoj shqiponjat e Edi Ramës, banditë të Edi Ramës, shqiponja apo çfarëdo jenë, se akti i parë i përmbysjes, i largimit të padronit të tyre, ata një për një do të përgjigjen para ligjit për krime të shëmtuara”, u shpreh ai.

Berisha shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar shpërbërjen e strukturave policore që akuzon për dhunë dhe procedimin individual të efektivëve.

“Jo vetëm do shkrihet si shërbim, por secili prej jush do të procedohet mbi bazën e veprës penale që ka kryer”, deklaroi kryetari i opozitës.

Akuzat e Berishës vijnë pas një dite të tensionuar në kryeqytet, ku protesta e studentëve dhe qytetarëve u shoqërua me përplasje me forcat e rendit, përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe hedhje gurësh e mjetesh piroteknike.

Pretendimet e kryetarit të PD-së për humbjen e shikimit, plagosjet me plumba, dhunën policore dhe ngacmimet seksuale kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente. Në deklaratën e shpërndarë nuk përfshihet një reagim i Policisë së Shtetit ndaj këtyre akuzave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu