
Tetë persona kanë marrë trajtim mjekësor në dy spitalet kryesore të Tiranës si pasojë e lëndimeve gjatë protestës së 24 tetorit. Mes tyre janë një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dy përfaqësues të medias, katër protestues dhe një efektiv policie.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të përditësuara në orën 16:30, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë trajtuar gjashtë persona: një deputet, një përfaqësuese e medias dhe katër protestues.
Ministria bën të ditur se të gjashtë të lënduarit kanë lënë spitalin pas marrjes së ndihmës mjekësore.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur një efektiv policie dhe një përfaqësues i medias. Gjendja e tyre shëndetësore raportohet e qëndrueshme.
Ky është bilanci paraprak i të lënduarve, sipas informacionit zyrtar të publikuar deri në orën 16:30 të së shtunës.
Mediat raportojnë se i lënduari deputet është demokrati Gjin Gjoni i cili është parë të merrret nga një ambulancë siç dyshohet me lëndime në sy.



