Franca është tronditur nga një sulm i armatosur me një viktimë dhe pesë të plagosur në periferi të Parisit. Presidenti Emmanuel Macron e ka cilësuar ngjarjen një “sulm terrorist racist”, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe për të përcaktuar nëse agresori kishte bashkëpunëtorë.

Sulmi ndodhi të premten, më 23 tetor, në zonat Trappes dhe La Verrière, rreth 30 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit francez. Një 39-vjeçar hapi zjarr nga automjeti i tij ndaj personave që ndeshte gjatë rrugës, në një seri sulmesh që zgjatën rreth 15 minuta.

Bilanci është tragjik: një person humbi jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Mes të plagosurve ndodhet edhe një vajzë 12-vjeçare, e cila, sipas nënës së saj, ka marrë tetë plagë nga plumbat dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

“Si mund t’ia bëjë dikush këtë një fëmije?”, është shprehur nëna e vajzës për televizionin francez RTL.

Ajo ka treguar se e bija mbante shami në kokë dhe ka ngritur dyshimin se mund të jetë zgjedhur si objektiv për shkak të besimit fetar.

“Ajo është një fëmijë e lindur në Francë, në Trappes. Ka të drejtë të jetojë në Francë dhe të ndërtojë jetën e saj këtu”, deklaroi nëna.

Sipas dëshmitarëve, autori lëvizte me një Renault Clio gri, duke qëlluar nga dritarja e automjetit në disa pika të dy qyteteve.

Kryebashkiaku i Trappes, Ali Rabeh, tha se sulmuesi kishte hapur zjarr në zona të ndryshme, përfshirë një pikë karburanti, një qendër shëndetësore dhe hapësira publike.

Sipas tij, agresori dukej se synonte të shkaktonte sa më shumë viktima.

Presidenti Emmanuel Macron vizitoi zonën e sulmit dhe deklaroi se qytetarët ishin vënë në shënjestër për shkak të ngjyrës së lëkurës ose përkatësisë së tyre fetare.

Ai e cilësoi ngjarjen një pikë kthese për Republikën Franceze, duke kërkuar që shoqëria të mos tolerojë përhapjen e ideologjive raciste.

Autori i dyshuar është identifikuar nga mediat franceze si Kevin T., 39 vjeç. Ai është arrestuar nga policia pas sulmit dhe është vendosur në paraburgim policor.

Sipas Prokurorisë Kombëtare Antiterroriste, i dyshuari kishte katër dënime të mëparshme, të cilat ishin fshirë automatikisht nga regjistri përkatës. Ai njihej nga policia, por nuk rezultonte person i monitoruar nga shërbimet e inteligjencës për rrezikshmëri terroriste.

Një person tjetër nga rrethi i ngushtë familjar i të dyshuarit është ndaluar gjithashtu për t’u marrë në pyetje.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe armën e përdorur gjatë sulmit, që dyshohet të jetë një armë automatike e një modeli të vjetër, e lidhur me periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

Prokuroria Kombëtare Antiterroriste ka marrë drejtimin e hetimeve për vrasje dhe tentativa vrasjeje të lidhura me një veprimtari terroriste, me rrethanën rënduese të motivit të mundshëm racist.

Po hetohen gjithashtu mbajtja e një arme të kategorisë A dhe mundësia e një bashkëpunimi për përgatitjen e akteve terroriste.

Autoritetet franceze po përpiqen të përcaktojnë nëse autori ka vepruar i vetëm dhe nëse sulmi ishte planifikuar paraprakisht.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu