
Mbi 180 episode të dyshuara paligjshmërie, policë të maskuar pa numra identifikimi, persona civilë që dyshohet se kanë ushtruar kompetenca policore dhe përdorimi joproporcional i forcës janë disa nga elementet që kallëzuesit pretendojnë se kanë dokumentuar gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera.
Sipas deklaratës së tyre, nuk bëhet fjalë për incidente të izoluara, por për një praktikë të dyshuar të organizuar, që synonte frikësimin e qytetarëve dhe shtypjen e protestave.
Në dokument përmendet edhe drejtuesi policor Oliger Torba, për të cilin, së bashku me Hitën dhe drejtues të tjerë, kërkohet përcaktimi i përgjegjësive sipas rolit të secilit në organizimin dhe kontrollin e ndërhyrjeve policore.
Një nga pretendimet më të forta lidhet me praninë e efektivëve të maskuar, pa shenja individuale identifikimi, si dhe të personave civilë të paidentifikuar, të cilët, sipas kallëzuesve, kanë ndaluar dhe dhunuar protestues në prani ose në bashkëveprim me policinë.
Organizatat dhe qytetarët që kanë firmosur kallëzimin argumentojnë se mungesa e identifikimit të efektivëve ka krijuar kushte për shmangien e përgjegjësisë individuale për dhunën e pretenduar.
Kallëzuesit kërkojnë që hetimi të mos kufizohet vetëm te efektivët që dyshohet se kanë ushtruar dhunë, por të shtrihet në të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit.
Në fokus të kërkesës për hetim janë edhe kryeministri Edi Rama dhe ministri Ervin Demo, për të verifikuar nëse orientimet, komunikimet apo vendimmarrja e tyre mund të kenë ndikuar në mënyrën se si janë menaxhuar protestat.
Një tjetër element që kërkohet të hetohet është përdorimi i gazit dhe substancave të tjera që kallëzuesit i përshkruajnë si të panjohura ose të pacertifikuara, si dhe përdorimi i plumbave të gomës në drejtim të pjesës së sipërme të trupit të protestuesve.
Në deklaratë përmenden gjithashtu raste të pretenduara të dhunës ndaj personave të neutralizuar, protestuesve paqësorë dhe qytetarëve që nuk paraqisnin rrezik.
Kallëzuesit theksojnë se policia ka të drejtën dhe detyrimin të përdorë forcën për të ruajtur rendin dhe për të ndaluar aktet e dhunshme, por argumentojnë se çdo ndërhyrje duhet të jetë e domosdoshme dhe proporcionale.
Ata kritikojnë gjithashtu mënyrën e menaxhimit të protestave, duke pretenduar se policia nuk ka arritur të parandalojë dëmtimin e pronës publike dhe djegien e godinave, ndërsa ka përdorur forcë edhe ndaj personave që, sipas tyre, nuk përbënin kërcënim.
Në kallëzim kërkohet që SPAK të përcaktojë nëse rastet e denoncuara përbëjnë veprime individuale të efektivëve apo janë rezultat i një mekanizmi të organizuar, të urdhëruar ose të toleruar nga drejtuesit.
Për të argumentuar kërkesën, kallëzuesit i referohen edhe standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për hetimin e dhunës policore dhe përgjegjësinë e zinxhirit komandues.
Ata shprehin besimin se SPAK do të veprojë me paanshmëri dhe shpejtësi për të verifikuar pretendimet e paraqitura.






