Studenti ekselent Jon Sinoimeri, i vënë në qendër të vëmendjes pas akuzave të kryeministrit Edi Rama për përfshirje në përdorimin apo shpërndarjen e drogës, ka thyer heshtjen, duke mohuar kategorikisht pretendimet ndaj tij dhe duke rrëfyer atë që, sipas tij, ka përjetuar në duart e policisë gjatë protestave në Tiranë.

Në një intervistë për News24, Sinoimeri deklaroi se nuk ka asnjë dënim penal dhe se nuk është paraqitur kurrë përpara një gjykate. Ai i cilësoi të pavërteta akuzat e kryeministrit, ndërsa ngriti shqetësimin se mund t’i ndërpritet edhe bursa e studimeve.

“Kam ‘frikë’ se mos Rama më ndërpret bursën”, u shpreh studenti, duke përdorur ironi ndaj situatës së krijuar.

Sinoimeri rrëfeu se më 13 tetor kishte qenë në shkollë dhe më pas kishte vendosur t’i bashkohej i vetëm protestës. Sipas tij, gjatë tubimit policia kishte përdorur ujë me kimikate, ndërsa ai kishte blerë tri shishe ujë në një market pranë zonës.

“Unë thjesht kam replikuar me policinë. Në atë moment, 17 policë më ndoqën me vrap, më çuan mbrapa te Ministria e Arsimit dhe më kanë dhunuar. Më pas më çuan në Komisariatin 3”, deklaroi ai.

Studenti pretendon se është mbajtur për disa orë në komisariat dhe më pas është liruar, pa u paraqitur përpara gjykatës.

“Nuk kam asnjë dënim. Nuk kam dalë asnjëherë para gjykatës”, theksoi Sinoimeri, duke kundërshtuar publikisht akuzat e ngritura ndaj tij.

Pavarësisht asaj që thotë se ka përjetuar, i riu deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga protestat.

“Patjetër që do të vazhdojmë të protestojmë. Po bëjmë edhe protestë online. Po bëhet një propagandë e rremë, sikur ne na paguajnë, por ne jemi studentë të lirë që duam të mirën e Shqipërisë”, u shpreh ai.

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu