
Këshilli i Ministrave i Italisë i dha dritën jeshile dekretit të ri të sigurisë më 20 tetor, pas trazirave të fundjavës në Milano, ku në përplasje me policinë u përfshinë edhe shumë adoleshentë.
Sipas agjencisë ANSA, paketa përmban tetë nene dhe synon të forcojë përgjegjësinë penale për dhunën gjatë manifestimeve publike.
Deri në 12 vite burg për organizimin e protestave të dhunshme
Një nga ndryshimet kryesore është krijimi i veprës së re penale për dhunën e organizuar gjatë manifestimeve publike.
Personat që gjatë protestave përdorin shkopinj, sende të forta ose hedhin objekte duke rrezikuar sigurinë e njerëzve mund të dënohen me burgim nga dy deri në pesë vjet dhe gjobë deri në 20 mijë euro.
Dënimi rëndohet kur aktet kryhen me fytyrë të mbuluar ose kur dëmtohen infrastruktura dhe shërbime të rëndësisë publike.
Ndërkohë, kush organizon ose nxit krijimin e grupeve për zhvillimin e manifestimeve të dhunshme, përfshirë përdorimin e mjeteve elektronike dhe rrjeteve sociale, rrezikon nga katër deri në 12 vite burg.
Gjoba për prindërit, masa edhe ndaj 16-vjeçarëve
Dekreti zgjeron mundësinë e ndalimit parandalues edhe në hapësira me grumbullime të mëdha njerëzish.
Masa mund të zbatohet edhe ndaj të miturve që kanë mbushur moshën 16 vjeç, sipas kushteve të parashikuara në dekret.
Një tjetër ndryshim lidhet me përgjegjësinë penale të të miturve mbi 14 vjeç, për të cilët parashikohet prezumimi i aftësisë për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tyre.
Për prindërit e të miturve që kryejnë akte dhune gjatë protestave parashikohen gjoba nga 500 deri në 1.000 euro, të cilat mund të dyfishohen në rast përsëritjeje.
“Kur ai që shkatërron është i mitur, paguajnë prindërit e tij”, deklaroi Meloni.
500 ushtarë shtesë në Milano
Qeveria miratoi gjithashtu dërgimin e 500 ushtarëve shtesë në Milano deri më 31 dhjetor, me një kosto të parashikuar prej 4,7 milionë eurosh.
Forcat ushtarake do të mbështesin autoritetet e sigurisë në kontrollin e territorit dhe ruajtjen e rendit publik.
Megjithatë, nuk u miratua kërkesa për t’u dhënë ushtarëve të angazhuar në operacionin “Strade Sicure” kompetenca të policisë gjyqësore.
Meloni: Shteti dëgjon protestuesit paqësorë, por nuk toleron dhunën
Kryeministrja italiane kërkoi që të bëhet dallim i qartë mes qytetarëve që protestojnë paqësisht dhe personave që kryejnë akte dhune.
“Asnjë ide politike apo vështirësi sociale nuk mund të justifikojë shkatërrimet”, deklaroi ajo.
Meloni kritikoi edhe promovimin e ndihmës juridike falas për personat e përfshirë në trazira, duke iu referuar qëndrimeve të eurodeputetes Ilaria Salis.
Sipas kryeministres, shteti duhet të mbështesë qytetarët që protestojnë për problemet e tyre, por njëkohësisht të garantojë sigurinë e bizneseve, pronës dhe forcave të rendit.
Përplasje në qeveri për shkaqet e trazirave
Ndërkohë, brenda koalicionit qeverisës italian janë shfaqur qëndrime të ndryshme për origjinën e dhunës.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i lidhi ngjarjet e Milanos me atë që e quajti “luftë hibride”.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini kundërshtoi idenë e një organizimi të jashtëm, veçanërisht të përfshirjes ruse.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, deklaroi se hetimet paraprake nuk kanë identifikuar lidhje të strukturuara me organizata ekstremiste, por shtoi se autoritetet po vijojnë verifikimet për të kuptuar nëse pas trazirave qëndron ndonjë formë organizimi.
Masat e reja vijnë në një periudhë protestash dhe përplasjesh mes të rinjve dhe policisë në disa vende europiane, ndërsa qeveria italiane synon të parandalojë përsëritjen e skenave të dhunshme të fundjavës.






