Bilanci i të lënduarve nga përplasjet e dhunshme gjatë protestës së 18 tetorit në Tiranë ka arritur në 28 persona, mes tyre 19 efektivë policie, katër protestues, katër kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias. Shifrat janë bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në përditësimin e orës 21:00.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës së diel në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 23 persona të lënduar.

Mes tyre janë 17 efektivë policie, një protestues i mitur, një përfaqësuese e medias dhe katër kalimtarë.

Ministria bën të ditur se një efektiv policie vijon të marrë trajtim në urgjencën e Spitalit të Traumës, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme. Gjendja e saj shëndetësore paraqitet e mirë.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona të tjerë të lënduar: dy efektivë policie dhe tre protestues.

Nga këta, vetëm një efektiv vijon të marrë trajtim në urgjencë, ndërsa katër personat e tjerë janë larguar pas marrjes së ndihmës dhe këshillës mjekësore.

14 persona vijojnë të marrin mjekim që prej nisjes së protestave

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar edhe një bilanc për periudhën nga 13 tetori, kur nisën protestat.

Sipas këtij përditësimi, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14.

Mes tyre janë pesë efektivë policie, katër protestues, katër kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias.

Ky është një bilanc i veçantë i personave që vijojnë trajtimin nga data 13 tetor dhe nuk duhet t’i shtohet numrit të 28 të lënduarve të raportuar për ditën e sotme.

Ministria e Shëndetësisë falënderoi mjekët, infermierët dhe ekipet shëndetësore për kujdesin e ofruar ndaj të lënduarve, duke theksuar angazhimin për garantimin e shërbimit mjekësor për çdo qytetar, pa dallim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu