
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar ndaj protestave dhe përplasjeve të dhunshme në kryeqytet, duke dënuar trazirat, lëndimin fizik të personave dhe shkatërrimin e pronës. Përfaqësia diplomatike amerikane u bën thirrje protestuesve të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë paqësore, ndërsa kërkon vetëpërmbajtje nga të gjitha palët.
“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar”, thekson Ambasada Amerikane në reagimin e publikuar në shqip dhe anglisht.
Përfaqësia diplomatike nënvizon se e drejta për të protestuar duhet të ushtrohet pa akte dhune.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, Ambasada Amerikane u drejtohet të gjitha palëve të përfshira në situatën e tensionuar.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.”
Reagimi vjen në një kohë kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë, si dhe me dëmtime të pronës publike dhe private.
Mesazhi i Ambasadës Amerikane dënon shprehimisht dhunën dhe kërkon qetësi nga të gjitha palët, pa përmendur ndonjë kërkesë për tërheqjen e forcave të policisë.






