
Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar dënimin me 6 vite burg për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në çështjen që lidhet me pretendimet për pengim të drejtësisë.
Kërkesa u paraqit gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorisë nga kryeprokurorja Kimberly West dhe prokurori i çështjes.
Sipas Prokurorisë, provat dhe faktet e paraqitura gjatë procesit mbështesin shpalljen fajtorë të të akuzuarve për pikat e aktakuzës.
Për Hashim Thaçin, Prokuroria kërkoi 6 vite burgim, ndërsa për të akuzuarit e tjerë kërkoi dënime të ndryshme.
Konkretisht, sipas kërkesës së Prokurorisë, për Hajredin Kuçin është kërkuar 9 muaj burgim, për Bashkim Fazliun 3 vite, për Isni Kilajn 3 vite dhe për Fadil Smakajn 3 vite burgim.
Prokuroria kërkoi gjithashtu që dënimi për Thaçin, nëse vendoset nga gjykata, të vuhet në vijim të çdo dënimi tjetër që mund të jepet ndaj tij në çështjen tjetër që po zhvillohet në Hagë.
“Bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet”, u tha gjatë fjalës përfundimtare.
Sipas Prokurorisë së Specializuar, veprimet e pretenduara për ndërhyrje dhe pengim të procesit gjyqësor përbëjnë kërcënim për administrimin e drejtë të drejtësisë.
Prokuroria argumentoi se Gjykata Speciale është ngritur pikërisht në një kontekst ku ndërhyrja dhe frikësimi i dëshmitarëve janë konsideruar problem serioz.
Kërkesa për dënim nuk përbën ende vendim përfundimtar. Vendimi do të jepet nga trupi gjykues pas përfundimit të procesit.






