Prokuroria e Specializuar ka paraqitur akuza të forta ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë deklaratave përfundimtare në procesin ku ai dhe katër të bashkëakuzuarit gjykohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryeprokurorja Kimberly West pretendoi se provat audio dhe dokumentet e administruara gjatë procesit tregojnë se Thaçi, edhe pse ndodhej në paraburgim, drejtonte një skemë për të ndikuar te dëshmitarët e çështjes kryesore.
Sipas Prokurorisë, Thaçi u jepte udhëzime personave që e vizitonin, të cilët më pas duhej t’ua përcillnin ato dëshmitarëve. Synimi, sipas akuzës, ishte që dëshmitarët të ndryshonin ose përshtatnin deklarimet e tyre.
West u ndal edhe te fraza e pretenduar e përdorur nga Thaçi, “mos shkaktoni asnjë dëm atje”. Sipas interpretimit të Prokurorisë, fjala “dëm” i referohej dëshmive që mund ta implikonin, ndërsa “atje” nënkuptonte Gjykatën.
Prokurori Joshua Hafetz bëri të ditur se në proces janë pranuar rreth 28 orë incizime audio, të realizuara gjatë nëntë vizitave në një periudhë katërmujore në qendrën e paraburgimit.
Sipas Hafetz, në regjistrime Thaçi dëgjohet duke folur normalisht për tema të zakonshme, ndërsa ulte zërin kur, sipas Prokurorisë, jepte udhëzime konkrete lidhur me atë që duhej t’u përcillej dëshmitarëve.
Prokuroria pretendon gjithashtu se dëshmitarëve u sugjeroheshin mënyra për të shpjeguar ndryshimet nga deklaratat e mëparshme, duke përmendur si arsye gabime në përkthim, lodhjen apo informacionet e marra si thashetheme.
Hashim Thaçi gjykohet në këtë proces së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Hajredin Kuçin dhe Isni Kilajn. Pretendimet e Prokurorisë janë akuza që po shqyrtohen nga gjykata dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar për fajësinë e të pandehurve.
Procesi vijon me argumentet përfundimtare të palëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu