
Nga legalizimet dhe problemet me Kadastrën, te OSHEE, rindërtimi, rrugët dhe urat. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një pjesë të raportimeve të ministrave dhe drejtuesve politikë të Partisë Socialiste për problematikat e ngritura nga qytetarët gjatë takimeve të “Pranisë Besnike”.
Mbledhja u zhvillua në të ashtuquajturën “Vila e Kuqe”, ku drejtuesit politikë dhe ministrat raportuan për takimet e zhvilluara në terren dhe mënyrën se si do të ndiqen kërkesat e qytetarëve.
Blendi Klosi tha se është ngritur një sistem për administrimin e problematikave, ku do të përdoret edhe inteligjenca artificiale.
“Kemi një sistem që sapo të hidhet kërkesa, ta vëmë përpara për t’i dhënë zgjidhje. AI na jep mundësinë që sapo të hidhet problemi të gjenerohet e-mail, që ngarkohet me referenca ligjore”, tha Klosi.
Belinda Balluku raportoi se janë administruar 262 ankesa, janë zhvilluar 14 dëgjesa dhe janë takuar mbi 300 qytetarë.
“Kemi administruar 262 ankesa, kemi bërë 14 dëgjesa, pasi kanë qenë të gjithë deputetët në terren. Kemi takuar mbi 300 qytetarë”, tha Balluku.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, raportoi 34 ankesa, ku sipas tij pjesa kryesore lidhej me OSHEE-në dhe rindërtimin, por kishte edhe problematika me Kadastrën, rrugët dhe urat.
Ndërsa ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha se një pjesë e madhe e kërkesave lidhet me legalizimet. Ai veçoi problemet me ndërtimet e para vitit 1991, për të cilat është planifikuar edhe një takim me drejtuesen e Kadastrës, me synimin për të gjetur një zgjidhje më sistemike.
Ulsi Manja solli edhe mosbesimin që, sipas tij, kishte shfaqur një qytetar gjatë takimit: “Njëri ma tha shqip, më tha se besoj se kjo që do të shkruash ti, ky halli im do të shkojë te tavolina e Edi Ramës”.
Në përfundim, Rama kërkoi që takimet të zhvillohen në mënyrë që qytetarët të ndihen të lirë për të treguar problemet e tyre, pa u ekspozuar publikisht.






