Një teknologji që u bë gjerësisht e njohur përmes vaksinave te njerëzit po hyn edhe në mjekësinë veterinare. Agjencia Europiane e Barnave, EMA, ka rekomanduar autorizimin në Bashkimin Europian të Nobivac NXT HCPChFeLV, një vaksinë për macet që ofron mbrojtje ndaj pesë patogjenëve të rëndësishëm.

Bëhet fjalë për vaksinën e parë veterinare të rekomanduar për autorizim në BE që përmban RNA vetë-amplifikuese si substancë aktive. Teknologjia RNA përdoret në komponentin e vaksinës kundër virusit të leukemisë feline, FeLV.

Vaksina synon pesë patogjenë: herpesvirusin felin tip 1, që prek kryesisht rrugët e frymëmarrjes dhe sytë; calicivirusin felin, që shkakton probleme të frymëmarrjes dhe gojës; virusin e panleukopenisë, një sëmundje që mund të jetë fatale sidomos për kotelet; Chlamydia felis, që shkakton kryesisht infeksione të syve; si dhe virusin e leukemisë feline, FeLV.

Për katër komponentët e parë vaksina përdor shtame të gjalla të dobësuara. Risia është te FeLV: vaksina përmban RNA vetë-amplifikuese të paketuar në një grimcë virale që nuk mund të replikohet. RNA hyn në qeliza dhe mundëson prodhimin e një proteine të virusit FeLV, duke nxitur sistemin imunitar të përgatitet për një ekspozim të ardhshëm.

EMA analizoi të dhënat e 15 studimeve në mjedise të kontrolluara dhe një studimi në terren me 142 mace. Rezultatet treguan përgjigje të përshtatshme imunitare ndaj të pesë patogjenëve, me fillimin e imunitetit rreth një javë pas vaksinimit.

Mbrojtja zgjat tre vjet për panleukopeninë dhe një vit për katër patogjenët e tjerë. Efektet anësore më të zakonshme ishin ënjtje në vendin e injektimit dhe temperaturë e lartë për rreth një ditë, të raportuara në 1 deri në 10 nga 100 mace të vaksinuara.

Komiteti veterinar i EMA-s arriti në përfundimin se përfitimet e vaksinës janë më të mëdha se rreziqet dhe rekomandoi autorizimin e saj. Hapi pasues është vendimi përfundimtar në nivel të Bashkimit Europian nga Komisioni Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu