
Një defekt teknik në sistemin e kontrollit të trafikut ajror ka shkaktuar kaos në aeroportet britanike, duke prekur drejtpërdrejt edhe qindra udhëtarë që fluturonin mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Problemi goditi sistemin e National Air Traffic Services (NATS), duke detyruar aeroportet të reduktonin ndjeshëm trafikun ajror. Heathrow, Gatwick, Stansted, Manchester, Birmingham dhe disa aeroporte të tjera u përballën me anulime dhe vonesa të gjata.
Pasojat mbërritën edhe në Rinas. Të paktën shtatë fluturime që lidhnin Tiranën me Londrën dhe Mançesterin rezultuan të anuluara ose me vonesa të konsiderueshme. Tre prej tyre u anuluan dhe katër të tjera u shtynë.
Mes fluturimeve të anuluara ishte ai i British Airways nga Heathrow drejt Tiranës, ndërsa u anulua edhe linja e Ryanair nga Mançesteri. Fluturimi i Wizz Air nga Londra Luton drejt Tiranës pati një vonesë prej më shumë se katër orësh.
Probleme pati edhe për udhëtarët që prisnin të niseshin nga Shqipëria. Disa fluturime nga Rinasi drejt Londrës u shtynë deri pas mesnate, ndërsa linja e Ryanair drejt Mançesterit u anulua.
Në Britaninë e Madhe situata ishte shumë më e rëndë, me qindra fluturime të anuluara dhe dhjetëra mijëra pasagjerë të prekur. Kompanitë ajrore reaguan ashpër ndaj NATS, ndërsa Ryanair bëri të ditur se të paktën 65 mijë pasagjerë të saj kishin pësuar vonesa deri në tetë orë.
NATS njoftoi në mbrëmje se kishte identifikuar problemin në sistemin e përpunimit të fluturimeve dhe se ishte gjetur një zgjidhje. Megjithatë, rikthimi në normalitet pritet të kërkojë kohë për shkak të numrit të madh të avionëve dhe pasagjerëve të mbetur të bllokuar.






