
Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po thellohen, me kryetarin Lumir Abdixhiku dhe ish-kryeministrin Avdullah Hoti që kanë dalë publikisht me qëndrime të kundërta për të ardhmen e partisë.
Hoti kërkoi zhvillimin urgjent të një konvente të madhe të LDK-së, e cila, sipas tij, duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë partinë në zgjedhjet e ardhshme.
“Konventa duhet të jetë një bashkim i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Hoti.
Ai kërkon që në konventë të përfshihen strukturat qendrore dhe lokale të partisë, Grupi Parlamentar, drejtuesit e degëve, Forumi i Gruas dhe ai Rinor. Sipas Hotit, LDK-ja ka nevojë për rikthimin e besimit të brendshëm dhe unitetit.
Por reagimi i Lumir Abdixhikut ishte i ashpër. Kreu i LDK-së i cilësoi “për keqardhje” qëndrimet e bashkëpartiakëve dhe la të kuptohej se pas përplasjeve qëndron beteja për drejtimin e partisë.
“Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, shkroi Abdixhiku.
Përplasja vjen pasi Hoti kishte propozuar Kujtim Shalën për kryetar të LDK-së dhe Hykmete Bajramin si kandidate për kryeministre. Edhe Bajrami ka pranuar se mund të jetë kandidate për drejtimin e partisë në zgjedhjet e ardhshme.
Hoti dhe Bajrami janë mes gjashtë deputetëve të LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen e arritur nga Abdixhiku me Vetëvendosjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president. Ata kanë argumentuar se nuk duan “zgjatjen e pushtetit të Albin Kurtit”.
Abdixhiku u rikonfirmua në krye të LDK-së pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa zgjedhjet e rregullta partiake janë parashikuar për vitin e ardhshëm.






