Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar në Kiev raundin e parë të bisedimeve me dy të dërguarit kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, vetëm një ditë pasi ata u takuan në Moskë me Vladimir Putinin.

Takimi shënon vizitën e parë të Witkoff dhe Kushner në kryeqytetin ukrainas që prej nisjes së pushtimit të plotë rus.

Pas bisedimeve të para, Witkoff deklaroi se delegacioni amerikan ndihet “i inkurajuar”, duke e përshkruar diskutimin me Zelenskyn si thelbësor dhe të rëndësishëm.

Kushner tha se Trump i ka ngarkuar me misionin për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës dhe për të krijuar kushtet për një paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Zelensky, nga ana tjetër, deklaroi se Ukraina është e gatshme për bisedime që mund të afrojnë fundin e luftës, por këmbënguli se çdo marrëveshje duhet të përfshijë garanci sigurie dhe një paqe dinjitoze për vendin e tij.

“Paqja është e nevojshme. Garancitë e sigurisë janë të nevojshme. Nevojitet një karakter dinjitoz i paqes së pasluftës. Propozimet tona janë gati”, deklaroi presidenti ukrainas.

Witkoff dhe Kushner mbërritën në Kiev me tren, pasi më herët kishin zhvilluar rreth tre orë bisedime me Putinin në rezidencën e tij në Moskë.

Kremlini i përshkroi negociatat me delegacionin amerikan si “konstruktive” dhe “jashtëzakonisht të sinqerta”. Sipas këshilltarit të Putinit, Yuri Ushakov, në tryezë nuk ishte vetëm lufta në Ukrainë, por edhe çështje ekonomike dhe projekte të mundshme ruso-amerikane.

Putin dhe Zelensky kanë rënë dakord të ndalojnë për tre ditë sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit gjatë misionit të negociatorëve amerikanë. Megjithatë, sulmet në zona të tjera kanë vijuar.

Ukraina njoftoi se goditi një rafineri nafte, një aeroport dhe dy sisteme të mbrojtjes ajrore në Rusi. Ndërkohë, Kievi tha se Moska e sulmoi Ukrainën me 108 dronë me rreze të gjatë dhe raketa të vogla lundruese.

Vizitat Moskë-Kiev të dy të dërguarve të Trump shihen si një përpjekje e re diplomatike amerikane për të gjetur një formulë që mund t’i japë fund luftës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu