
Zjarret që goditën zonën e Levanit në Fier kanë lënë pas dëme të mëdha, ndërsa flakët vijojnë të jenë aktive edhe këtë të shtunë, një ditë pasi përfshinë gjashtë fshatra.
Mes banorëve që kanë humbur pronën është edhe Bajram Sulejmani. Edhe pse në moshë pensioni, ai vazhdonte të punonte në punishten e tij të drurit për të siguruar të ardhura shtesë për jetesën. Zjarri i 4 shtatorit ia shkrumboi gjithçka.
Situata ka detyruar edhe banorë të tjerë të largohen nga shtëpitë. Një 80-vjeçare është zhvendosur në banesën e vajzës së saj në Peshtan të Vogël, pasi flakët po përparonin në drejtim të shtëpisë ku jetonte.
Një ditë pas shpërthimit të zjarreve, vatrat vijojnë të mbajnë nën presion zonën, ndërsa banorët përballen me pasojat e dëmeve.
Disa prej tyre pretendojnë se zjarret janë të qëllimshme, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e tyre. Ata ngrenë gjithashtu shqetësimin se zjarrfikësit nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për të ndërhyrë me shpejtësi.
Zjarret e ditës së premte përfshinë gjashtë fshatra të Fierit, duke shkaktuar dëme në prona dhe duke detyruar banorë të largohen nga zonat e rrezikuara.






