
Kryeministri Edi Rama ka shprehur solidaritetin e Shqipërisë me Francën dhe Spanjën, të cilat po përballen me zjarre masive, duke deklaruar se vendi ynë është i gatshëm të ofrojë ndihmë për partnerët europianë.
Gjatë një takimi në Bazën Ajrore të Farkës me forcat e emergjencave civile, Rama tha se mbi 300 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga banesat e tyre për shkak të flakëve, ndërsa e cilësoi situatën si një betejë të përbashkët kundër pasojave të ndryshimeve klimatike.

“Kolegët tuaj në Francë dhe Spanjë po përjetojnë një ferr. Ne ua përcjellim solidaritetin dhe jemi gati të japim ndihmën tonë, ashtu siç edhe ata na kanë ndihmuar kur Shqipëria është përballur me situata të ngjashme”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se zjarret e mëdha nuk janë më raste të izoluara, por një realitet i ri që kërkon përgatitje të vazhdueshme. Ai tha se Shqipëria ka rritur kapacitetet për përballimin e emergjencave, duke forcuar koordinimin mes institucioneve dhe duke shtuar mjetet ajrore në dispozicion.
Sipas tij, vendi ka aktualisht disa helikopterë për ndërhyrje nga ajri, ndërsa deri në fund të vitit pritet të mbërrijnë edhe tre avionë zjarrfikës që do të jenë pronë e shtetit shqiptar. Kryeministri shtoi se janë siguruar gjithashtu mekanizma bashkëpunimi për aktivizimin e mjeteve ajrore shtesë në rast emergjencash të mëdha.






