
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita mbështet marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen, por nuk do të marrë pjesë në votimin e saj, duke kundërshtuar procedurën e përshpejtuar të ndjekur nga mazhoranca.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se grupi parlamentar i PD nuk mund të votojë një marrëveshje që, sipas tij, po shqyrtohet në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ne jemi pro kredisë dhe shprehim mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara, por nuk votojmë në procedura antikushtetuese,” u shpreh ai.
Sipas Berishës, marrëveshja ishte dorëzuar nga qeveria amerikane në institucionet shqiptare muaj më parë, por ekzekutivi e mbajti pa e dërguar në Kuvend deri më 24 korrik, për ta kaluar më pas me procedurë të përshpejtuar.
Ai tha se Partia Demokratike kishte propozuar që Kuvendi të mblidhej edhe të premten e ardhshme për ta shqyrtuar marrëveshjen sipas afateve të parashikuara në Kushtetutë, por pretendoi se mazhoranca e refuzoi këtë kërkesë.






