Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të premte para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar dy dokumente strategjike, të cilat, sipas tij, do të udhëheqin kthesën e mandatit të katërt të qeverisjes.

Në fjalën e tij, Rama tha se protestat e zhvilluara gjatë muajit qershor duhet të shihen si një moment reflektimi për qeverinë, duke theksuar se qytetarët nuk jetojnë më me investimet e realizuara, por me pritshmëritë për atë që presin nga shteti. Sipas tij, Shqipëria ka lënë pas “epokën e mungesave” dhe ka hyrë në “epokën e pritshmërive”.

Kryeministri pranoi se faktet dhe arritjet e qeverisë nuk janë më të mjaftueshme për të bindur qytetarët, pasi, sipas tij, ato shpesh perceptohen si arrogancë dhe jo si empati ndaj problemeve të përditshme. Ai theksoi se qeverisja duhet të fokusohet më shumë te përvoja konkrete e qytetarëve.

Rama deklaroi gjithashtu se protestuesit nuk duhet të konsiderohen si “mosmirënjohës”, por si një “matës i ri i standardeve” që kërkojnë më shumë nga qeveria. Ai shtoi se qytetarët sot nuk e krahasojnë më Shqipërinë me të shkuarën, por me nivelin e zhvillimit që presin të arrijnë.

Në fjalimin e tij, kreu i qeverisë preku edhe reformën në drejtësi, duke deklaruar se ajo “rrëzoi monumentin e pandëshkueshmërisë”, si dhe njoftoi se ligji për zonat e mbrojtura do të rishikohet për t’u harmonizuar plotësisht me direktivat e Bashkimit Evropian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu