Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj deklaratës së kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, duke thënë se ajo “nuk meriton asnjë përgjigje”, ndërsa e cilësoi si “Pëllumbesha në Botën e Çudirave”.

Berisha e përqendroi reagimin te përplasjet e ndodhura gjatë protestës jashtë Kuvendit, duke akuzuar autoritetet për ushtrim dhune ndaj protestuesve.

Ai pretendoi se një protestues ndodhet në gjendje të rëndë në spital, duke deklaruar se “po lufton për jetën”, pasi sipas tij ka pësuar thyerje brinjësh, pneumotoraks, dëmtime në kafkë dhe është futur në gjendje kome.

Berisha e cilësoi seancën parlamentare si “më të padenjën në historinë e Kuvendit” dhe përsëriti kërkesën e tij që Parlamenti të shpërndahet, duke argumentuar se nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

Më herët, Elisa Spiropali deklaroi në Kuvend se Partia Socialiste ka vullnetin për të reformuar sistemin politik dhe zgjedhor, ndërsa i bëri thirrje Berishës të “hapë rrugën” dhe të çlirojë opozitën. Në përgjigje, Berisha u shpreh: “Elisa, Pëllumbesha në Botën e Çudirave, nuk meriton asnjë përgjigje.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu