Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka mbështetur aksionin e Policisë Rrugore për evidentimin dhe heqjen e xhamave të errësuar të automjeteve që janë vendosur në kundërshtim me ligjin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari u shpreh se drejtuesit e mjeteve me xhama të errësuar pa leje nuk do të tolerohen, duke theksuar se rregullat zbatohen njësoj për të gjithë.

“Xhamat e errësuar në makinë nuk ju bëjnë të padukshëm. Dhe më keq akoma kur ato i keni pa leje, sigurisht që do të hiqen pa një pa dy nga Policia e Shtetit”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se rrugët janë një hapësirë publike ku siguria dhe transparenca kanë përparësi, ndaj çdo shkelje do të trajtohet sipas ligjit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, Policia Rrugore po vijon kontrollet në të gjithë vendin dhe vetëm gjatë dy javëve të fundit janë ndëshkuar mbi 500 drejtues mjetesh për përdorimin e xhamave të errësuar në shkelje të legjislacionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu