
Një turiste 30-vjeçare nga Finlanda ka humbur jetën në Vlorë, pasi u ndje keq gjatë një zhytjeje në zonën e Spitalieres (anija-spital e fundosur).
Sipas të dhënave paraprake, e reja ka pësuar komplikacione shëndetësore gjatë aktivitetit në det dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
Mësohet se turistja ishte e shoqëruar nga një person tjetër, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.






