Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur “Paketën e Maleve”, duke deklaruar se ajo synon t’u japë zgjidhje mijëra familjeve që zotërojnë toka të trashëguara në zonat malore, por nuk mund t’i regjistrojnë për shkak të problematikave të mbartura që nga zbatimi i ligjit 7501.

Gjatë një komunikimi nga rruga drejt Thethit, Rama tha se në shumë zona malore toka është ndarë me marrëveshje mes banorëve sipas kufijve të trashëguar dhe jo sipas ligjit të viteve ’90. Për këtë arsye, sipas tij, shumë qytetarë nuk disponojnë tituj pronësie, nuk mund të marrin kredi, subvencione apo leje ndërtimi për të zhvilluar pronën e tyre.

Sipas kreut të qeverisë, paketa krijon mundësinë që pronarët të investojnë në bujtina, agroturizëm apo aktivitete të tjera ekonomike, duke e kthyer pronën në një aset që gjeneron të ardhura. Ai theksoi se nisma nuk ka të bëjë me shitjen e maleve, por me zhvillimin e pronave të trashëguara nga banorët e zonave malore.

Rama tha se interesi për këtë nismë është i madh edhe nga emigrantët, të cilët, sipas tij, duan të investojnë në turizmin malor. Ai e cilësoi “Paketën e Maleve” një politikë në mbështetje të së drejtës së pronës dhe zhvillimit ekonomik të zonave rurale.

Kryeministri hodhi poshtë kritikat ndaj paketës, duke deklaruar se nuk ka parë komunitete të prekura që ta kundërshtojnë atë dhe se banorët “mezi e presin” zbatimin e saj. Sipas tij, kundërshtimet vijnë nga njerëz që “malet i shohin nga qyteti”.

Duke iu përgjigjur komenteve në rrjetet sociale, Rama tha se “Zvicra e vogël” mund të ndërtohet pikërisht përmes zhvillimit të turizmit malor, duke krijuar mundësi që të rinjtë të jetojnë dhe të investojnë në vendlindje, në vend që të emigrojnë.

Në komunikimin e tij, kreu i qeverisë promovoi edhe programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, i cili, sipas tij, do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me kredi të buta dhe garanci shtetërore deri në 2 milionë euro.

Në fund, Rama e cilësoi “Paketën e Maleve” një projekt strategjik për zhvillimin e ekonomisë së zonave malore dhe një histori suksesi për Shqipërinë, ndërsa sulmoi kundërshtarët politikë dhe protestuesit, të cilët i krahasoi me “sorra dhe korba”, duke i kundërvënë me atë që e quajti “historia e flamingove” dhe Shqipëria e së ardhmes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu