Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me tensione verbale mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe drejtuesit të seancës, Niko Peleshi.

Berisha reagoi pas vendimit për ndryshimin e rendit të ditës, të propozuar nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke akuzuar mazhorancën se po bllokon prej javësh nismat ligjore të opozitës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi Peleshin “vasalin më të shpifur të Edi Ramës” dhe “armik të Kushtetutës”, ndërsa tha se prej një muaji nuk po shqyrtohen amendamentet e opozitës për disa ligje që, sipas tij, kërkohet të ndryshohen edhe në kuadër të rekomandimeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Peleshi ndërhyri duke i kërkuar Berishës të respektojë etikën parlamentare.

“Mu drejto me etikë. Mos tejkalo etikën parlamentare. Do ta ndërpres fjalën sa herë që shkel Rregulloren dhe do të marr masa ndaj kujtdo që abuzon me foltoren”, u shpreh Peleshi.

Debati vjen në një seancë të shoqëruar me përplasje politike, pas rikthimit të deputetëve demokratë në Kuvend dhe protestës së zhvilluar jashtë godinës së Parlamentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu