Mbretëria e Bashkuar do të ketë sot një kryeministër të ri. Andy Burnham do të marrë zyrtarisht drejtimin e qeverisë britanike, duke zëvendësuar Keir Starmer në krye të Downing Street.

Starmer do të mbajë fjalimin e tij të fundit si kryeministër përpara selisë së qeverisë, përpara se të paraqesë dorëheqjen te Mbreti Charles III në Pallatin Buckingham. Më pas, Burnham do të pritet nga monarku, i cili do t’i besojë formimin e qeverisë së re.

Pas ceremonisë në pallat, Burnham do të mbajë fjalimin e tij të parë si kryeministër, ku pritet të premtojë më shumë “hapësirë frymëmarrjeje” për qytetarët britanikë dhe një politikë më të qëndrueshme e më të përgjegjshme.

Ndryshimi në krye të qeverisë vjen vetëm pak ditë pasi Burnham u zgjodh lider i Partisë Laburiste. Ai pritet të nisë menjëherë ndryshimet në kabinet, ndërsa ministri i Burgjeve, Lord James Timpson, ka dhënë tashmë dorëheqjen.

Sipas BBC, Burnham do të përqendrohet fillimisht te ulja e kostos së jetesës, mbështetja për ekonominë dhe biznesin, si edhe te investimet në transportin publik dhe ndërtimin e banesave sociale.

Ndër masat që pritet të shpallen janë ulja e taksave për baret, lokalet dhe bizneset e vogla, lehtësimi i faturave të energjisë dhe transportit, si edhe rishikimi i pragut të të ardhurave që tatohen.

Një tjetër prioritet i qeverisë së re do të jetë anulimi i planit për identitetin dixhital kombëtar, ndërsa Burnham ka sinjalizuar edhe një rol më të madh të shtetit në sektorët e ujit dhe energjisë.

Me marrjen e detyrës nga Burnham, Britania do të ketë kryeministrin e pestë në vetëm katër vjet, pas Boris Johnson, Liz Truss, Rishi Sunak dhe Keir Starmer.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu