
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese se ka mbështetur vendimet e qeverisë për investimet strategjike, Parkun e Butrintit dhe zonat e mbrojtura, duke pretenduar se ka shpërfillur edhe kërkesat e Bashkimit Europian.
Deklaratat u bënë këtë të hënë, pasi Berisha u paraqit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Sipas kreut të opozitës, Gjykata Kushtetuese është një nga arsyet që, sipas tij, kanë nxitur protestat qytetare të javëve të fundit.
Berisha tha se Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për investimet strategjike, ndryshimet për zonat e mbrojtura dhe çështjen e Parkut të Butrintit, por pretendon se gjykata ka lënë në fuqi vendimet e qeverisë, pavarësisht, sipas tij, qëndrimeve të institucioneve europiane.
Kreu i PD-së kritikoi edhe Bankën e Shqipërisë, duke e akuzuar se nuk reagon ndaj fenomenit që ai e quajti “narko-euro”. Sipas Berishës, ky fenomen po dëmton ekonominë, po ul konkurrueshmërinë e biznesit dhe po nxit largimin e të rinjve nga vendi.






