
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e arrestimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Në një intervistë për “The New York Times”, Mamdani tha se beson se Netanyahu duhet të gjykohet në Hagë dhe se po konsultohet me juristët e bashkisë për të kuptuar nëse ka autoritet ligjor për të zbatuar urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN).
“Do të bëjmë gjithçka që na lejon ligji, por nuk do të krijojmë ligje të posaçme për këtë rast”, u shpreh ai.
Netanyahu dhe ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, kërkohen nga GJPN-ja për akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Rripin e Gazës. Mes akuzave përfshihen përdorimi i urisë si metodë lufte, vrasje, përndjekje dhe akte të tjera çnjerëzore.
Megjithatë, realizimi i një arrestimi mbetet i pasigurt. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ratifikuar Statutin e Romës, traktatin që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, dhe për këtë arsye nuk kanë detyrim ligjor për të zbatuar vendimet e saj.
Qëndrimi i Mamdanit bie ndesh me atë të administratës së presidentit Donald Trump, i cili e ka cilësuar urdhër-arrestin ndaj Netanyahut si “të paligjshëm”. Pas lëshimit të mandatit në vitin 2024, Netanyahu ka vizituar disa herë SHBA-në dhe është pritur në Shtëpinë e Bardhë dhe në rezidencën Mar-a-Lago pa u përballur me pasoja ligjore.
Çështja pritet të rikthehet në qendër të vëmendjes në shtator, kur liderët botërorë do të mblidhen në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.






