NATO ka njoftuar se do të zvogëlojë gradualisht praninë e saj ushtarake në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, duke argumentuar se situata e sigurisë në vend është përmirësuar ndjeshëm.

Lajmi u bë publik në 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë dhe nisjes së misionit të KFOR-it, më 12 qershor 1999.

Komandanti i NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, deklaroi se përmirësimi i vazhdueshëm i sigurisë dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve vendore krijojnë kushtet për një “optimizim” të pranisë së KFOR-it.

Sipas Komandës së NATO-s për Evropën (SHAPE), Aleanca kishte ndërprerë që në janar dislokimin e forcave rezervë në Kosovë, pas më shumë se dy vitesh rotacioni. Tani pritet që numri i trupave të përshtatet gradualisht me situatën në terren.

NATO kujton se pas tensioneve dhe incidenteve të dhunshme të vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan, misioni u përforcua me rreth 1 mijë ushtarë shtesë, përforcimi më i madh në më shumë se një dekadë.

Megjithatë, Aleanca thekson se reduktimi i pranisë ushtarake nuk do të krijojë vakum sigurie. Sipas saj, KFOR-i do të vazhdojë të garantojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e OKB-së.

Aktualisht, KFOR-i ka 4.657 ushtarë nga 31 shtete. Kontributin më të madh e japin Italia me 907 trupa, SHBA me 590, Hungaria me 408, Turqia me 382 dhe Gjermania me 308 ushtarë.

NATO përsëriti gjithashtu mbështetjen për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke e konsideruar atë thelbësor për stabilitetin afatgjatë të Kosovës dhe rajonit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu