
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ball, ka mohuar kategorikisht zërat për një kërkesë të re të SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i cilësuar ato si lajme të rreme.
Në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit, Balla tha se Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet nuk ka marrë asnjë njoftim të tillë nga Prokuroria e Posaçme dhe se procedurat parlamentare janë të qarta në raste të ngjashme.
“Nuk ka një kërkesë të tillë. Ju e dini që në raste të ngjashme, brenda 48 orëve njoftohen menjëherë anëtarët e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet. Edhe unë jam njëri prej anëtarëve të këtij këshilli dhe nuk ka asnjë njoftim të tillë”, deklaroi Balla.
Balla deklaroi se nuk do të komentojë pretendimet se SHBA i ka hequr masën Sali Berishës pa një njoftim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit ose Ambasada Amerikane. Ai kujtoi se shpallja e Berishës u bë publikisht në vitin 2021 për korrupsion të nivelit të lartë dhe minim të demokracisë. Sipas Ballës, opozita po përpiqet të paraqesë si sukses të protestës një zhvillim që nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe po përdor protestën për qëllime politike.
Ai ironizoi praninë masive të strukturave të Partisë Demokratike në protestë, duke thënë se protesta nisi si një protestë lokale “për flamingot”, por më pas u mbush me “bufa që ndihen flamingo”.
Ai theksoi se Partia Socialiste ka marrë mbi 856 mijë vota dhe gëzon një mandat të qartë nga qytetarët për të vijuar qeverisjen dhe reformat, duke e konsideruar këtë një kontratë politike të pakontestueshme.
Balla deklaroi se Shqipëria nuk mund të humbasë projekte të rëndësishme zhvillimore dhe se qeveria do të vazhdojë përpara me investimet strategjike, pavarësisht kundërshtimeve politike dhe kritikoi disa episode të protestës, duke thënë se janë shfaqur qëndrime antisemite dhe forma diskriminimi që nuk duhet të kenë vend në debatin publik shqiptar.
Sipas tij, protesta nuk ka ende një strukturë apo përfaqësi zyrtare me të cilën mund të zhvillohet dialog institucional.






