Tre marinarë indianë humbën jetën pas një sulmi amerikan ndaj cisternës së naftës “Settebello” pranë Omanit, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen.

Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), anija u godit në dhomën e motorëve pasi ekuipazhi kishte refuzuar në mënyrë të përsëritur t’u bindej urdhrave të forcave amerikane gjatë lundrimit në Gjirin e Omanit.

Ministri indian i Transportit Detar, Sarbananda Sonowal, konfirmoi vdekjen e tre marinarëve indianë, duke e cilësuar ngjarjen si një humbje tragjike. Nga 24 anëtarët e ekuipazhit në bord, 21 u shpëtuan.

Ndërkohë, SHBA dhe Irani kanë shkëmbyer sulme për të dytën ditë radhazi. Forcat amerikane goditën objektiva ushtarake, radarë dhe sisteme vëzhgimi në jug të Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon, përfshirë Bahreinin dhe Kuvajtin.

Situata mbetet e tensionuar edhe në Ngushticën e Hormuzit, ku Irani pretendon se ka mbyllur plotësisht kalimin detar, ndërsa ushtria amerikane këmbëngul se anijet tregtare vijojnë të kalojnë nëpër korridorin strategjik.

Pavarësisht përshkallëzimit ushtarak, burime iraniane kanë bërë të ditur se kontaktet diplomatike mes palëve vazhdojnë, me negociatat që fokusohen te zhbllokimi i fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu