Policia e Tiranës ka intensifikuar operacionet për gjetjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ndërsa hetimet janë përqendruar në disa zona malore të kryeqytetit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kontrollet po zhvillohen kryesisht në zonat e Pëllumbasit dhe Qafë Mollës, vende që frekuentoheshin shpesh nga i dyshuari kryesor, Armand Shakaj.

Sipas informacioneve të siguruara nga hetuesit, dëshmitë e banorëve në zonën e Pëllumbasit, të cilët pretendojnë se kanë parë automjetin e Shakajt, kanë shtyrë policinë të zgjerojë kontrollet në këtë perimetër. Ndërkohë, verifikimet në sistemin TIMS nuk kanë evidentuar dalje të 41-vjeçarit jashtë territorit shqiptar, duke forcuar dyshimet se ai mund të fshihet ende brenda vendit.

Hetuesit kanë mësuar gjithashtu se Shakaj vuan nga një problem shëndetësor. Për këtë arsye, policia ka njoftuar dhe vënë në gatishmëri institucionet shëndetësore publike dhe private, në rast se i kërkuari paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore.

Kërkimet vijojnë në disa zona të Tiranës, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin e Armand Shakajt dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të zhdukjes së Eglant Koçit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu