TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga protesta e së mërkurës në Tiranë, ku disa persona i hoqën nga duart një të riu flamurin e komunitetit LGBTQI+.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e dënoi incidentin duke e cilësuar si një akt bullizmi dhe përjashtimi, në kundërshtim me vlerat që, sipas tij, duhet të përfaqësojë Shqipëria.

“Kjo nuk është Shqipëria në të cilën ne besojmë dhe sigurisht nuk është Shqipëria që po ndërtojmë si një anëtare krenare e familjes evropiane”, shkroi kryeministri.

Rama shprehu solidaritet me të riun që u bë objekt i incidentit gjatë protestës, duke theksuar se askush nuk duhet të përballet me diskriminim apo poshtërim për shkak të identitetit apo bindjeve të tij.

“Solidaritet i plotë me djalin që është bërë objekt bullizmi. Asnjë qenie njerëzore nuk duhet të poshtërohet, përjashtohet apo të vihet në shënjestër për faktin se është ndryshe”, deklaroi ai.

Në fund të reagimit, kreu i qeverisë u drejtua me një mesazh të ashpër ndaj autorëve të veprimit: “Turp për bullizuesit”.

Incidenti ndodhi gjatë protestës së ditës së 11-të kundër projektit në Zvërnec dhe kundër qeverisë, ku krahas pankartave dhe thirrjeve politike pati edhe momente tensioni mes pjesëmarrësve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu