
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla, në kuadër të aktivitetit për 35-vjetorin e Partisë Socialiste ishte në Rrogozhinë ku vlerësoi kontributin e socialistëve ndër vite dhe sukseset elektorale të forcës politike që ai përfaqëson.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se Rrogozhina dhe njësitë e saj përbërëse kanë qenë historikisht ndër zonat që i kanë dhënë mbështetje Partisë Socialiste që prej zgjedhjeve të 12 qershorit 1991.
“Rrogozhina bashkë me njësitë e veta përbërëse kanë qenë prej 12 qershorit 1991 zona zgjedhore në të cilat ne kemi marrë historikisht mbështetjen”, u shpreh Balla.
Gjithashtu Balla theksoi se Partia Socialiste ndodhet në një fazë historike të drejtimit të vendit, ndërsa Shqipëria është shumë pranë realizimit të një prej objektivave më të rëndësishëm strategjikë, anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Në këtë 35-vjetor, Partia Socialiste e Shqipërisë gjendet në një moment historik të drejtimit të vendit. Kemi arritur ta çojmë Shqipërinë shumë pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe besoj se nuk kemi qenë kurrë më afër se sot. Javët, muajt dhe dy vitet në vijim do të jenë shumë vendimtare për ta përmbyllur këtë proces”, u shpreh Balla.
Në fjalën e tij Balla vuri në dukje gjithashtu se nën drejtimin e Edi Ramës kemi triumfuar në 9 nga 10 garat elektorale.
“Kemi fituar 15 nga 20 betejat elektorale në 35 vjet. Me Edi Ramën kemi fituar 9 nga 10 betejat elektorale. Meritën kryesore e kanë anëtarët e thjeshtë të partisë. Mos ta harrojmë asnjëherë: meritën kryesore e ka grushti dhe trëndafili”, u shpreh Balla.






