
Mijëra qytetarë morën pjesë mbrëmjen e së hënës në protestën e nëntë radhazi në Tiranë, duke marshuar në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej” dhe vijoi drejt institucioneve qendrore, ndërsa protestuesit mbajtën pankarta dhe brohoritën slogane kundër qeverisë. Pas disa orësh marshim, pjesëmarrësit u rikthyen në sheshin qendror të kryeqytetit, ku përmbyllën protestën me thirrjet “Rama ik” dhe “Nesër më shumë”.
Gjatë aktivitetit, organizatorët dhe pjesëmarrësit u bënë thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve, që t’u bashkohen protestave në ditët në vijim.
Paralelisht me protestat në terren, organizatorët raportojnë edhe një rritje të mbështetjes online për peticionin “Rama Out”. Sipas tyre, numri i firmave të mbledhura ka arritur në rreth 1.5 milionë.
Nisma online synon të mbledhë mbështetje për kërkesën për largimin e kryeministrit, ndërsa organizatorët e konsiderojnë atë si një tregues të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë.
Qeveria nuk ka reaguar ende lidhur me pretendimet për numrin e firmave të raportuara nga organizatorët e peticionit.



