Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar sërish, pasi Izraeli ka ndërmarrë sulme të reja ndaj objektivave ushtarake në Iran, pavarësisht thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump për të shmangur goditje të mëtejshme.

Sipas ushtrisë izraelite, objektivat e goditura ndodheshin në Iranin perëndimor dhe qendror. Sulmet erdhën vetëm pak orë pasi Irani lëshoi një seri raketash drejt territorit izraelit, në përgjigje të bombardimeve izraelite në periferi të Bejrutit.

Donald Trump deklaroi se zhvillimet e fundit nuk do të pengojnë negociatat që administrata e tij po zhvillon me Teheranin për t’i dhënë fund konfliktit më të gjerë rajonal.

“Nuk do të ketë ndikim te marrëveshja. Unë vendos. Netanyahu nuk vendos”, deklaroi Trump për Financial Times.

Megjithatë, sipas mediave amerikane, presidenti amerikan i kishte kërkuar më herët kryeministrit Benjamin Netanyahu që të shmangte sulme të reja, duke argumentuar se palët janë pranë një marrëveshjeje.

Nga ana tjetër, ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, deklaroi se Irani kishte lëshuar 11 raketa balistike ndaj Izraelit dhe se vendi i tij nuk mund të qëndrojë pa reaguar.

“Askush nuk do ta toleronte një sulm të tillë dhe as Izraeli nuk do ta tolerojë”, tha ai.

Autoritetet iraniane konfirmuan se raketat kishin në shënjestër objektiva ushtarake izraelite, përfshirë bazën ajrore Ramat David pranë Nazaretit. Ushtria izraelite njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore arritën të interceptojnë pjesën më të madhe të raketave.

Përshkallëzimi i ri ka ndikuar menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent u rrit me më shumë se 3%, duke kaluar sërish nivelin e 96 dollarëve për fuçi, mes frikës për destabilizim të mëtejshëm në rajon.

Një nga pikat më të ndjeshme mbetet Ngushtica e Hormuzit, rrugë strategjike nga ku kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit të lëngshëm. Teherani vazhdon të kërkojë heqjen e sanksioneve dhe lirimin e miliarda dollarëve asete të ngrira si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme me Uashingtonin.

Ndërkohë, administrata Trump po përpiqet të ruajë procesin diplomatik me Iranin, por sulmet e ndërsjella mes palëve po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu