Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestave kundër projektit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se investimi prej 4 miliardë eurosh është një mundësi historike për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Elbasan, Rama tha se kundërshtimi ndaj projektit po ushqehet nga manipulime, dezinformim dhe axhenda që, sipas tij, nuk kanë lidhje me mbrojtjen e mjedisit.

Kreu i qeverisë e krahasoi zhvillimin e pritshëm të Zvërnecit me transformimin që, sipas tij, ka përjetuar Mali i Zi falë investimeve në turizmin elitar, duke përmendur veçanërisht projektin Porto Montenegro.

“Ky është investimi më i madh në Europë për turizmin prej shumë vitesh. Nuk mund t’i japim vetes një goditje duke refuzuar një mundësi të tillë zhvillimi”, u shpreh Rama.

Ai hodhi poshtë akuzat e protestuesve dhe kritikëve të projektit, duke deklaruar se qeveria e tij ka qenë ajo që ka mbrojtur natyrën dhe faunën shqiptare përmes moratoriumit të gjuetisë.

Rama u ndal edhe te sloganet që janë përdorur gjatë protestave, duke kritikuar shprehjen “Shqipëria është e shqiptarëve”, të cilën e cilësoi si të gabuar dhe në kundërshtim me traditën shqiptare të mikpritjes.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri përsëriti se qeveria do të vijojë me projektet e zhvillimit dhe me objektivin strategjik për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në fund të dekadës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu