
Një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale po ngre pikëpyetje mbi përpjekjet për të instrumentalizuar protestat kundër projekteve turistike në Zvërnec dhe Sazan për qëllime propagandistike.
Në materialin e publikuar pretendohet se shqiptarët kanë “përzënë kolonët izraelitë” nga ishulli i Sazanit, duke e paraqitur protestën si një përballje me interesa izraelite dhe jo si një debat mbi zhvillimin turistik dhe çështjet mjedisore.
Videoja përdor një narrativë të qartë anti-Izrael dhe vjen në një kohë kur në rrjetet sociale janë shtuar përmbajtjet që tentojnë ta lidhin debatin për investimet në jug të vendit me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve, ky nuk është rasti i parë. Më herët kanë qarkulluar video të krijuara me inteligjencë artificiale, si dhe postime të shpërndara nga faqe të identifikuara si pro-iraniane, të cilat kanë tentuar ta paraqesin projektin në Zvërnec dhe Sazan si pjesë të një skenari më të gjerë gjeopolitik.
Kritikët e kësaj qasjeje argumentojnë se po tentohet të devijohet debati nga çështjet konkrete që lidhen me projektin, transparencën, mjedisin dhe zhvillimin e zonës, duke e zhvendosur atë drejt narrativave ideologjike dhe konflikteve ndërkombëtare.
Ndërkohë, deri më tani nuk ka asnjë fakt që të mbështesë pretendimet e përhapura në video për “kolonë izraelitë” në Sazan, ndërsa projekti i investimit është prezantuar zyrtarisht si një zhvillim turistik privat që vijon të jetë objekt debatesh publike dhe politike në Shqipëri.
Përdorimi i protestave lokale për të promovuar narrativa të huaja politike është kthyer në një fenomen gjithnjë e më të dukshëm në rrjetet sociale, ku përmbajtjet virale shpesh përhapen më shpejt se verifikimi i fakteve.






