
Protestuesit kundër projektit turistik në Zvërnec kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit qytetar me dy tubime të reja gjatë ditës së shtunë, një në Vlorë dhe një në Tiranë.
Gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, një nga përfaqësueset e protestuesve njoftoi se qytetarët do të mblidhen fillimisht në Vlorë në orën 11:00, ndërsa në mbrëmje, në orën 18:00, do të zhvillohet një tjetër tubim në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
“Jemi një grup i vetëm që kemi një kërkesë shumë të thjeshtë: ‘Rama ik’. Shqipëria është e shqiptarëve, jo e pushtetarëve”, deklaroi ajo para protestuesve dhe mediave.
Ndërkohë, organizatorët pretendojnë se protesta kundër projektit në Zvërnec ka marrë përmasa më të gjera, duke u shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit dhe jashtë Shqipërisë.
Sipas tyre, gjatë së premtes janë zhvilluar tubime mbështetëse në Elbasan dhe Korçë, ndërsa qytetarë shqiptarë janë mbledhur edhe në Mynih të Gjermanisë për të shprehur solidaritet me protestën.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë anulimin e projektit në zonën e Zvërnecit, duke e konsideruar atë të dëmshëm për mjedisin dhe interesin publik. Nga ana tjetër, qeveria ka mbrojtur investimin, duke e cilësuar si një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
Protestat pritet të vijojnë edhe gjatë fundjavës, ndërsa debati mbi projektin mbetet në qendër të diskutimit publik.






