
Shqipëria ka marrë sinjale inkurajuese për procesin e integrimit europian gjatë Samitit të Tivatit, ku drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian konfirmuan progresin e vendit drejt anëtarësimit.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Mali i Zi mbetet kandidati më i avancuar dhe mund të bëhet vendi i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028, ndërsa Shqipëria pritet ta ndjekë menjëherë pas tij.
“Po besojmë se Mali i Zi mund të bëhet vendi anëtar i 28-të në vitin 2028. Shpresojmë që Shqipëria ta ndjekë shpejt dhe që i gjithë rajoni të lëvizë në këtë drejtim”, u shpreh Von der Leyen.
Sipas saj, Samiti i Tivatit dëshmoi se Ballkani Perëndimor po afrohet gjithnjë e më shumë me Bashkimin Europian dhe se zgjerimi mbetet një zgjedhje strategjike për unionin.
Edhe Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, vlerësoi progresin e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka hyrë tashmë në fazën finale të negociatave.
“Javën e kaluar mbajtëm konferencën e radhës ndërqeveritare për fazën finale të mbylljes së negociatave. Ka nisur mbyllja e tre kapitujve për Shqipërinë”, deklaroi Costa.
Ai shtoi se Bashkimi Europian po shqyrton ide të reja për të përshpejtuar procesin dhe për të rritur motivimin e vendeve kandidate.
Ndërkohë, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, u shpreh se anëtarësimi i vendit të tij në BE do të shërbejë si shembull për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
“Ëndrra europiane është gjallë. Mali i Zi mund të bëhet një model suksesi për të gjitha vendet kandidate në rajon”, tha Milatović.
Deklaratat e liderëve europianë konsiderohen si një mbështetje e fortë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, ndërsa vendi synon mbylljen e negociatave brenda viteve të ardhshme.






