
Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e kësaj të premteje në Tiranë, ku një efektiv i Policisë Rrugore është sulmuar me thikë gjatë kryerjes së detyrës pranë qendrës tregtare “Casa Italia”.
Sipas dëshmisë së policit, ai ndodhej pranë vijave të bardha duke orientuar këmbësorët për kalimin e sigurt të rrugës, kur një person iu afrua nga pas dhe i vendosi një thikë në qafë.
“Për një moment nuk po e kuptoja se kush ishte ky person, pasi nuk e njihja. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart”, ka deklaruar efektivi.
Falë reagimit të shpejtë, polici arriti të neutralizonte agresorin pa pësuar lëndime.
Autori i dyshuar është identifikuar si Dorjan Kasa, i cili u arrestua menjëherë nga forcat e policisë. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim për motivet e veprimit të tij.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar arsyet që çuan në sulmin ndaj efektivit të Policisë Rrugore.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë.






