Biznesmeni që Biznesmeni Pandeli Carapuli është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku iu komunikua akuza për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Carapuli u paraqit i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa hetimet lidhen me procedimin penal ku është nën hetim edhe ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se Balluku ka përfituar në mënyrë të parregullt një vilë në resortin “White Rocks” në Dhërmi, me vlerë rreth 145 mijë euro, në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” sh.p.k. në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, institucion që drejtohej prej saj në atë kohë.

Prokuroria pretendon se për të fshehur pronësinë reale të pasurisë janë përdorur veprime juridike të dyshuara si fiktive, ku përfshihen edhe ish-futbollisti Igli Tare dhe Joana Bushi, ish-vartëse e Ballukut në Albcontrol.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, vila e vendosur nën sekuestro preventive ndodhet në kompleksin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut. Hetuesit dyshojnë se pasuria është përfituar si shpërblim në këmbim të favorizimit të kompanisë fituese të tenderit.

Një ditë më parë, SPAK bëri të ditur se kishte komunikuar akuzën për pastrim parash edhe ndaj Igli Tares, i cili sipas hetimeve dyshohet se është përdorur për të fshehur pronësinë e vilës.

Prokuroria e Posaçme njofton se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive penale.

SPAK thekson se çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu