
Kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se po ushqen narrativat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke e cilësuar debatin e krijuar në rrjetet sociale si pjesë të një lufte hibride kundër Shqipërisë. Nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Rama tha se aktorë të lidhur me Iranin po përhapin pretendime të rreme se projekti synon të sjellë palestinezë nga Gaza në Shqipëri.
Sipas kreut të qeverisë, iranianët, të cilët sipas tij kanë kryer sulme kibernetike ndaj Shqipërisë prej vitesh, janë të përfshirë në nxitjen e këtyre narrativave. Ai tha se në rrjet qarkullojnë video dhe përmbajtje të rreme që synojnë të krijojnë perceptime të gabuara mbi investimin e planifikuar në Zvërnec.
Rama theksoi se aktualisht nuk ekziston ende një projekt i miratuar për t’u diskutuar dhe se shqetësimet mbi ndikimin e tij në mjedis janë të parakohshme. Ai garantoi se projekti do të hartohet nga arkitektë dhe ekspertë ndërkombëtarë me synimin për të krijuar një zhvillim që respekton natyrën dhe sjell përfitime për vendin.
Kryeministri pranoi se ka qytetarë dhe ambientalistë që kanë shqetësime të sinqerta, por këmbënguli se një pjesë e debatit po manipulohet nga fushata dezinformuese. “Është një sulm hibrid”, deklaroi ai, duke shtuar se nuk ka asnjë bazë për pretendimet që lidhin projektin me zhvendosjen e palestinezëve në Shqipëri.






