Artur Shehu, një nga pronarët e tokave në zonën e Nartës, deklaroi se disponon rreth 253 hektarë të pajisur me certifikata pronësie dhe se nuk ka pasur asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me investitorët e projektit në Zvërnec.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Shehu tha se prona e fisit të tij shtrihet në rreth 460 hektarë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e saj është dokumentuar me certifikata pronësie.
“Kam 252-253 hektarë me certifikatë pronësie. Prona është e padiskutuar. Nuk zihet fare prona në gojë”, u shpreh ai.
Shehu theksoi se bëhet fjalë për një pronë të vjetër familjare, e njohur ndër vite nga institucionet shtetërore dhe e trajtuar përmes proceseve të kthimit dhe njohjes së pronave.
Lidhur me hetimet e SPAK dhe bllokimin e llogarive të tij, ai deklaroi se nuk ka asnjë shqetësim dhe se organet e drejtësisë janë në të drejtën e tyre të kryejnë verifikimet e nevojshme.
“SPAK ka punën e vet dhe le ta verifikojë. Nuk kam asnjë gjë me SPAK”, tha Shehu.
Ai mohoi kategorikisht çdo marrëdhënie direkte me investitorët e projektit në Zvërnec, duke sqaruar se komunikimi zhvillohet përmes ndërmjetësve.
“Investitorët nuk i njoh fare. Ka ndërmjetës. Nuk i njoh fare”, deklaroi ai.
Deklaratat e Shehut vijnë në një moment kur projekti i investimit në Zvërnec ka nxitur debate të forta politike dhe protesta qytetare, ndërsa SPAK po vijon hetimet lidhur me çështjet e pronësisë në zonë.



