
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar se ka vendosur sekuestro preventive mbi një vilë në resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, pasuri që sipas hetimeve rezulton në pronësi indirekte të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas SPAK, hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025 kanë nxjerrë dyshime të reja ndaj Ballukut, e cila përveç akuzës ekzistuese për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, dyshohet edhe për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Me vendimin nr. 412, datë 3 qershor 2026, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka vendosur sekuestron preventive mbi vilën dykatëshe tip “Begonia”, me sipërfaqe ndërtimi 103 m² dhe parcelë rreth 300 m², e ndodhur në resortin “White Rocks”.
Sipas organit të akuzës, pasuria dyshohet se përbën përfitim të parregullt të marrë nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” sh.p.k. në një procedurë prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a., në kohën kur ajo drejtonte këtë institucion.
SPAK pretendon se procedura e tenderit për “Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit mbi 88.6 milionë lekë, është manipuluar për t’i krijuar avantazhe të padrejta kompanisë fituese. Sipas hetimeve, favorizimi ka vijuar edhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.
Prokuroria dyshon se në këmbim të këtij favorizimi, Balluku ka përfituar vilën në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro. Për të fshehur origjinën dhe pronësinë reale të pasurisë, SPAK pretendon se janë përdorur kontrata fiktive dhe persona të tretë.
Sipas njoftimit, në skemën e dyshuar janë përfshirë edhe shtetasit me iniciale I.T. dhe J.B., të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në kryerjen e veprimeve juridike fiktive për fshehjen e pronësisë së vilës.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive penale.
SPAK thekson se Belinda Balluku prezumohet e pafajshme deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






