
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar një rezolutë që synon të kufizojë kompetencat e presidentit Donald Trump për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ushtarake kundër Iranit.
Masa u miratua me 215 vota pro dhe 208 kundër, pasi katër republikanë iu bashkuan demokratëve në një sfidë të hapur ndaj administratës Trump.
Kjo është tentativa e katërt e Dhomës për të kufizuar kompetencat e presidentit në lidhje me konfliktin me Iranin, ndërsa kritikët argumentojnë se veprimet ushtarake janë ndërmarrë pa miratimin e Kongresit.
Rezoluta duhet të kalojë edhe në Senatin amerikan, i kontrolluar nga republikanët. Megjithatë, edhe nëse miratohet, ajo nuk pritet të ndalojë plotësisht mundësinë e veprimeve ushtarake ndaj Iranit.
Republikani Thomas Massie, së bashku me Brian Fitzpatrick, Tom Barrett dhe Warren Davidson, votuan kundër qëndrimit zyrtar të partisë së tyre. Një tjetër mbështetje erdhi nga demokrati Jared Golden, i cili në të kaluarën kishte votuar kundër nismave të ngjashme.
“Vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë dhe ne duhet ta mbrojmë këtë kompetencë”, deklaroi kongresmeni Tom Barrett.
Nga ana tjetër, demokrati Gregory Meeks e cilësoi votimin si “një qortim të rëndësishëm dypartiak ndaj luftës së kushtueshme dhe të paligjshme të Trumpit kundër Iranit”.
Konflikti mes SHBA-së dhe Iranit nisi në fund të shkurtit, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj objektivave iraniane. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve aleate të Uashingtonit në Gjirin Persik, ndërsa tensionet vazhdojnë pavarësisht një armëpushimi paraprak të arritur në muajin prill.
Ndërkohë, presidenti Trump deklaroi se negociatat me Iranin po ecin mirë dhe se një marrëveshje mund të finalizohet brenda ditëve të ardhshme.



