
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video që, sipas tij, i është dërguar nga një banor i Vlorës, i cili mbështet projektin e investimit në Zvërnec.
Në postimin e tij, Rama ironizoi kundërshtarët e projektit, duke deklaruar se ata duan ta mbajnë zonën në gjendjen aktuale, të cilën e përshkroi si të degraduar dhe të ndotur.
“Tokë të ndotur e të paprekur nga tradhtia ime, që dua të sjell një investim 4 miliardë në funksion të një projekti që e kthen Vlorën në beben e syrit të turizmit në këtë anë të botës”, shkroi kryeministri.
Rama përsëriti gjithashtu akuzat për atë që e cilëson “luftë hibride online”, duke thënë se një pjesë e qytetarëve janë keqinformuar lidhur me projektin dhe ndikimin e tij në zonën e mbrojtur.
Në mesazhin e publikuar nga kryeministri, qytetari shprehet pro investimit dhe pretendon se zona ku parashikohet zhvillimi i projektit është lënë prej vitesh në kushte të këqija mjedisore.
Sipas tij, kundërshtimet ndaj investimit nuk lidhen me mbrojtjen e natyrës, por me kundërshtimin politik ndaj qeverisë.
Debati për projektin në Zvërnec vijon prej ditësh, me protesta të përditshme në Tiranë dhe Vlorë nga kundërshtarët e investimit, ndërsa qeveria këmbëngul se zhvillimi do të respektojë standardet mjedisore dhe do të sjellë përfitime ekonomike për zonën.



